“Të keqen mami, a po u mëson pak Shqip fëmijëve”? Jo moj nënë i them, nuk kam kohë sepse punoj tërë ditën dhe kam frikë se Shabani do hutohet nga dy gjuhë sepse akoma nuk ka fillluar të flasë Anglisht… e kam merak vetë, mos u shqetëso. Këto biseda bëheshin në vitin 2010-2012 e tutje…
Zemra mi di hallet e veç zemra mi ndreq problemet. Kam pothuajse 20 vjet në Amerikë dhe kur e lashë Shqipërinë mbrapa, më oshëtinin dëshirat e babait që donte që të martohesha me një Shqipëtar, ti rrisja fëmijët me gjuhën Shqipe, dhe të jetoja në atdheun tim deri në fund të ditëve të mia – por jeta është dirigjente ironike dhe e ndryshon direktivën kur nuk ta pret mendja. Mendon se planet i ke shtruar në tavolinë, shkon të flesh e qetë, por kur zgjohesh, çdo plan është përmbysur dhe ti zbulon se të duhet të imigrosh në Amerikë për arsye shëndetësore e për një jetë më të mirë. Martohesh me një të huaj – babi i shkretë nuk do ketë kurrë paqe në botën tjetër ku tani prehet, lindin dy fëmijë njëri pas tjetrit dhe disa vendime urgjente janë vënë në rradhë si ushtari i mallosur tek i kërkon leje komandantit të shkojë të shikojë familjen. Për çfarë urgjence e kam fjalën? Fëmijët e mi Shabani dhe Nadia, përkatësisht 10 dhe 8 vjeç, këto kohët e fundit po më kërkojnë me insistim që të mësojnë Shqip.
Zemra ime gufon sepse për shumë vite i kam folur me fjalë të dashura Shqipe si ‘Zemra e nënës, shpirt i vogël, vdeksha unë për ty. I kam çuar në Shqipëri nja dy herë, shpesh shikojnë “Çufo, Çufo, o Gjumash”, “Dhelpra dhe Lejleku”, por e vërteta lakuriqe është që ata vetëm pak fjalë mund të shqiptojnë dhe kuptojnë. Para disa ditësh momenti kyç u poq dhe unë fillova të kërkoja në internet një zgjidhje. Fillova me Google sepse jeta jonë po shndërrohet në një jetë virtuale dhe aty gjen më tepër informacion dhe shumë shpejt më dolën disa opsione për të vëzhguar – I pashë nja dy a tre dhe në fund më doli përpara një rrjet që e kishte ngjyrën jeshile dominuese (shenjë e mirë kjo) dhe çdo informacion ishte në Anglisht – ndalova dhe shpejt u kujtova se këtë shkollë, LSIA (https://lsiaal.org/) dhe drejtuesit e saj unë i kam njohur përpara 15 vitesh kur unë luaja me idenë se Amerika nuk ishte për mua dhe dëshirën e kisha të jepja mësim Anglisht pikërisht në këtë shkollë) ndërsa vetë shkolla është 25 vjeçare. U habita të them të drejtën sepse nuk ma priste mendja që do kishin klasa për të mësuar gjuhën Shqipe. Imagjinoni gëzimin tim – ëndrra në sirtar që fëmijët të ma mësonin sadopak gjuhën mu rishfaq dhe po në të njëjtin moment i thirra fëmijët pranë dhe u dhashë lajmin e gëzuar – kanë disa ditë që nuk reshtin së më pyeturi se si i thonë kësaj dhe si i thonë asaj në Shqip…
Fillova të hetoj së çfarë mendonin të tjerët, klientë të këtyre shërbimeve, dhe zbulova faqen e atyre që dëshmonin për një shërbim të mirë dhe të apasionuar, lexova rezumetë e të gjithë mësuesve dhe mbeta tepër e impresionuar – kërkova edhe nëpër rrjete të tjera disa prej tyre që të bindesha që vërtetë kishin një etikë pune të fortë dhe të ndërgjegjëshme. I bëj të gjitha këto sepse jam vetë arsimtare këtu në Los Anxheles dhe gjithmonë jam pak më kritike kur zgjedh jo vetëm për fëmijët e mi por edhe për studentët që i mësoj çdo ditë.
E mora vendimin brenda disa orësh dhe bëra pagesën, një pagesë që ne këtu në Amerikë e kemi një vakt të ngrëni jashtë, domethënë, çmimet mu dukën tepër të arsyeshme. I regjistrova të dy fëmijët për kursin e Para-Abetares dhe sërish më pëlqeu korrektësia dhe shpejtësia e komunikimit – me erdhën 3 a 4 emaile me informacion që e kishin marrë pagesën, ja ku është konfirmimi, do ju kontaktojë mësuesja etj…
Tani, ne të gjithë si familje presim me padurim fundin e Shtatorit që fëmijët tanë të nisin udhëtimin e tyre të ri në këtë rrugë që është kaq e njohur për nënën e tyre dhe kuptohet, mbështetja ime si nënë Shqipëtare nuk do i mungojë kurrë. Ky vendim është simbolik edhe jetik sepse gjuha e nënës është e lidhur me shpirtin.
Po pse ka rëndësi për ty ky mesazh, si lexues i këtyre mendimeve të mia? Nëse je imigrant në diasporë si unë, nëse jeton në nje vend ku një gjuhë tjetër është zyrtare, dhe nëse fëmija juaj studjon çdo lëndë në një gjuhë tjetër dhe jo në Shqip, unë mendoj se ti e ke një brengë në zemër siç e kam patur unë me vite. Hidhini një sy shkollës, diskutoni me fëmijët sepse edhe ato kanë mendime të shëndosha, merrni vendime pozitive që ndikojnë të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe mos e ktheni kokën pas. Identiteti i tyre i tanishëm dhe i të ardhmes është i lidhur me gjuhën Shqipe. Unë personalisht tani jam më e qetë – ëndërroj me sy hapur kur Shabani dhe Nadia të bëjnë biseda në Shqip me nana Dilen, halla Besën, daja Gazin, e të qeshin me të madhe kur të binden tërësisht që qentë në Shqipëri bëjnë “Hum-hum” dhe jo “woof-woof”.
Migena Mendez
Los Anxheles